Thursday, April 14, 2011

Olgertit

Si sot e kujtoj....lajmin kur ma dhanë.

Ishte mëngjes i ftohtë shtatori.

Sytë vagëllim rreth-e-rrotull panë.

E goja dot nje fjalë s'e nxori.


Supet, murin më të afërt gjetën.

Mëndja më të afërtin kujtim.

Brengat vrullshëm u mbështetën.

Pirg në kraharorin tim.


Miljona pyetje më bënë pritë.

Pikëllimi gjymtyrët mi ngujoi.

Vec zemra që nga ajo ditë.

Një lutje kurrë s'e harroi.


Zot jepi atij shërim të plotë.

Bëja atë sa më të lehtë.

Sille prapë në mesin tonë.

Dëshirat porsi ne ti ketë.


Edhe sa duhet të lutem vallë?

Sa zë t'më burojë nga kraharori

Që larg të mbesë...sa një përrallë

Ai mëngjes i ftohtë shtatori.


S.K.


Kushtuar shokut, kolegut, vëllait tim Olgertit

qe prej muajsh po lufton me kancerin.